TIRANË- Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme që çoi në goditjen e grupit kriminal ku bënin pjesë Avdylajt dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe Rrumi i Shijakut, tregon lidhjet mes tyre dhe egërsinë që kishin ndaj anëtarëve të grupit rival, ku si kreun e tij konsideronin Plaurent Dervishajn. Gazetarja e Report TV, Keti Banushi siguron dosjen, ku në episodet dhe bisedat SkyECC zbardhura nga SPAK, sa i takon tjetërsimit të pronave në Durrës nga grupi i Lahos, ku bën pjesë dhe vëllai i tij, Vullnet Muça dhe i shpalluri në kërkim Agron Bejdolli, bie në sy aksesi që “Rrumi” kishte në Kadastrën e Durrësit. SPAK po ashtu ka zbuluar dhjetëra AMTP, akte të marrjes në pronësi të tokës, të falsifikuara në zonat bregdetare kundrejt pagesave ndaj zyrtarëve që shkonin deri në 5 milion lekë.
Duke shfrytëzuar ketë akses, thotë SPAK, Aleksandër Laho, i njohur edhe si “Rrumi i Shijakut” u dha prona Avdylajve me qëllim që ta ndihmonin për të vrarë kundërshtarët, me në krye Palurent Dervishajn, Mond Çekiçin, i vrarë në mars 2021, apo edhe Lulzim Berishën. Këto detaje dalin nga zbërthimi i bisedave nga aplikacioni SkyECC mes Rrumit të Shijakut dhe Aldo Avdylit, të dy të shpallur në kërkim jo vetëm për këtë dosje, por edhe për ngjarje të tjera kriminale.
“Fakti që Aleksandër Laho ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme një numër të madh pronash, të cilat në disa raste ua ka premtuar ose ua ka dhënë si shpërblim njerëzve që i duheshin për t’i përdorur për të arritur qëllimin e tij, eliminimin e kundërshtarëve të vet, Plarent Dervishi dhe Edmond Koçi alias Mond Çekiçi, Lulzim Berisha zbulohen edhe në bisedën e datës 14 shtator 2020, që ai ka zhvilluar me Elidon Avdyli, alias Aldo Avdyli”, thekson SPAK.
Grupi kriminal akuzohet për ekzekutimin e 2021 të Edmir Bregut, i cili ishte porositur nga Avdylajt për hakmarrje ndaj tentativës per të vrarë nipin e tij Aldo Avdylaj, nga ana tjetër grupi i Rrumit të Shijakut, bashkëpunonte me këtë grup për të ekzekutuar kundërshtarët e tij, ndërsa në këmbim u premtonte prona në Durrës, të cilat ua merrte fshatarëve përmes tjetërsimit. Në bisedat që shkëmbente me Aldo Avdylajn, Rrumi i Shijakut shkruan se i pari në radhë që duhet të hiqet qafe duhet të jetë Lulzim Berisha, pastaj Mond Cekiçi dhe në fund Plaurent Dervishaj.
“Kta e xhirojnë lojën e qytetit, të tjerët pastaj jan pasiva, të parëndësishëm”, shkruan Aleksandër Laho. “Po je fiks fare e vlla. Kjo esht sta fut njeri ty për terren, e për men. Po ka maru ata jan, por luli them un, Lulit i bim direkt. Vetem vendose ti”, i përgjigjet Aldo Avdylaj.
Në një prej bisedave të vitit 2021, Aldo Avdylaj i thoshte Rrumit se duhej duheshin bërë 10 vrasje brenda vitit, sepse në Durrës do të kandidonte Rama deputet dhe kjo i pengonte do t’i prishte punë. Edhe Rrumi i konfirmon Aldo Avdylajt se ardhja e Ramës do të paralizonte aktivitetin e grupit të tij.
“O vlla duhen 10 viktima mrena vitit. Po na erdhi ky Rama ktu, zbejm dot shumë dome se do na fiki”, i shkruan Aldo-Rrumit. “Ajo më ka djeg shum dhe mua, Rama po erdhi aty na paralizoi pak… e kam mendu direkt që atë ditë që e mora vesh”, i përgjigjet Rrumi-Aldos.
SPAK ka zbardhur rolet që kanë patur të akuzuarit në vrasjesn e Edmir Bregut. Porositësi i vrasjes është Astrit Avdyli, financues dhe organizator Elidon allias Aldo Avdyli,(nipi i Astrit Avdylit) ekzekutori Ermir Dedja (i vrarë në maj 2025) Alfred Doka, vëzhgues në terren me qëllim lokalizimin e viktimës dhe ekzekutor, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume, kishte rolin e vëzhgues për lokalizimin e Edmir Bregut. Në dosjen e SPAK për vrasjen e Edmir Bregut zbulohen edhe bisedat që bënin mes tyre anëtarët e grupit të Astrit Avdylajve. Ky i fundit, në një prej bisedave udhëzon nipin e tij Aldo Avdylaj që të tregojë kujdes kur përfshihet në ngjarjet kriminale. Gjithashtu  në dosje, dalin në pah pazaret e Avdylajve  për të vrarë e terrorizuar persona në Durrës me qëllim që njerëzit t’ia kenë frikën. Nga bisedat e transkriptuara nga aplikacioni SkyECC, dokumentohen episode sesi Elidon alias Aldo Avdylaj në bashkëpunim me Ermir Dedjan dhe Astrit Balliun alias Astrit Avdylaj, japin porosi e vendosin gjoba në zonë për të trembur të tjerët.
Grupi kriminal i vrasjes së Edmir Bregut
Astrit Avdyli- porositësi
Elidon allias Aldo Avdyli, financuesi dhe organizatori (nipi i Astrit Avdylit)
Ermir Dedja- ekzekutori (i vrarë në maj 2025)
Alfred Doka, vëzhgues në terren me qëllim lokalizimin e viktimës dhe ekzekutor
Enea Kume, vëzhgues për lokalizimin e Edmir Bregut
Rivalët e "Rrumit të Shijakut" Rrumi kërkonte eleminimin e Plaurent Dervishajt, Lulzim Berishës i njohur edhe si Lul Berisha, si edhe të Edmond Çekiçit. Ky i fundit, ish-anëtar i bandës së Durrësit, u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në mars të vitit 2021 pranë Drejtorisë Arsimore dhe afër shtëpisë së prindërve të tij. Ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ndodhet në burgun e Durrësit pas ekstradimit nga Spanja. Berisha ishte shpallur në kërkim në Janar të vitit 2022 për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, krim i ndodhur në 2005-ën. Plarent Dervishaj po ashtu ndodhet në burg pas ekstradimit nga Dubai. Dervishaj akuzohet si porositësit ndaj atentatit të ndodhur më 1 nëntor 2019 ndaj tashmë ish-prokurorit të Durrsësit, Arian Ndoj. Atentatin për të hequr qafe ish-hetuesin, Dervishaj ia besoi Ramazan Rrajës, i cili në bashkëpunim me Arjol Halilaj kryen atentatin që viktimën e vetme pati shoferin e Ndojt, Andi Malokun. Dervishaj është edhe kunati i Lulzim Berishës.