Trafiku drogës me Greqinë dhe Italinë, bllokohen 3.5 tonë marijuanë
Publikuar më 12.01.2014 | 9:14
1
0
Më tepër se 3.5 tonë marijuanë e prodhuar në
Jug të Shqipërisë e kryesisht në Lazarat apo në lumin e Vlorës, janë
bllokuar orët e fundit në Itali, Shqipëri dhe Greqi. Në të gjitha rastet
personat e kapur me drogë ishin shqiptarë, ndërsa priten të tjera
arrestime.
Dy tonë në Itali
Dy ton marijuanë u kap të premten në mbrëmje në
autostradën A1, në Frosinone. Ngarkesa e madhe e drogës ishte drejtuar
për në Romë me një kamion që drejtohej nga një shtetas shqiptar. Droga
besohet se ka ardhur me traget nga Shqipëria. Ndërkaq, shefi i policisë
në Frosinone Giuseppe De Matteis tha se kjo ishte sasia më e madhe e
kapur ndonjëherë atje, teksa hetimet vijojnë. Sakaq, në Varese u kap me 2
kg marijuanë shqiptari me inicialet T.N. në Milano u gjetën 37 kg
marihuanë, të fshehur në bidonët e përdorur për transportin e naftës.
Artur Jakaj, 37 vjeç, u arrestua në Breda, pasi në kantinat e verës, ai
kishte ngritur strofkën e drogës.
Në Marte, 18 kg marijuanë u gjet e fshehur në
makinë. Në pranga ra një shqiptar 24 vjeç. Policia në Tuscania, arrestoi
shqiptarin 27 vjeç, me inicialet H.R. Ai ishte pjesë e rrjetit prej 30
njerëzish, që merreshin me drogë. Në Rovigo, në bordin e një “Audi 8” u
kapën 2 shqiptarët, 30-vjeçari D.E dhe D.B, 28 vjeç me 10 kg kokainë.
Qeni antidrogë Falko, i llojit labrador, zbuloi drogën në rrotat e
makinës.
Tri aksionet në Shqipëri
Policia e Korçës sekuestroi dje rreth 600 kg
kanabis sativa, në dy operacione, ku në të parin kapi rreth 100 kg
marijuanë në “Qafën e Qarrit” në Korçë. Droga u gjet e ndarë në 3
automjete, si dhe u arrestuan poseduesit e drogës, Nino Tushe, Vangjel
Bashari, Herolind Haskaj, Mariglen Dalipi dhe Qirjako Liti, banues në
Gjirokastër. Disa orë më vonë, në një tjetër operacion, policia kapi
rreth 500 kg kanabis sativa në fshatin e quajtur Moglicë të Korçës.
Droga u gjet e fshehur në një automjet me targa angleze. Katër personat
që ndodheshin në makinë ikën sapo panë policinë.
Ndërkaq, dje Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë
dha masën “arrest me burg” për shtetasit Sajmir Zotkaj, 27 vjeç, Ismir
Plaku, 22 vjeç, Gazmir Baruni, 27 vjeç, Viktor Shkurti, 27 vjeç, Geris
Agasi, 22 vjeç dhe Orges Shqopa, 28 vjeç. Para pak orësh ata u kapën me
116 kg hashash, gjatë operacionit “Start”, teksa drogën e dërgonin me
makina nga Lazarati në Durrës dhe prej andej e trafikonin për në Itali.
“Lumenjtë” drejt Greqisë
Departamenti i Narkotikëve në policinë e
Igumenicës, ka bllokuar organizatën kriminale që dërgonte drogë nga
Shqipëria në Greqi. Grupi kriminal udhëhiqej nga një grek 39-vjeçar dhe 8
shqiptarë nga 22 deri në 35 vjeç. Gjatë operacionit policia kapi 300
pako kanabis që përmbanin 321 kg e 926 gramë marijuanë, një pistoletë
“Tokarev”, një makinë dhe 3 celularë. Gjatë operacioneve të tjera, orët e
fundit, u bllokuan 38 kg marijuanë në pikën kufitare të Kakavijës,
fshehur në mjetin me targa amerikane AQM 40.
Trafikanti i drogës hante në mensat e të varfërve
Teksa policia e kërkonte pasi trafikoi 40 kg
marijuanë me vlerë 150 mijë euro, një shqiptar kishte gjetur mënyrën më
perfekte për t’iu shmangur prangave: të hante në mensën e të varfërve.
Artur Jakaj, 37 vjeç, i’u tha policëve pas arrestimit se nuk
frekuentonte mensat e të varfërve vetëm se ishte në kërkim të ushqimit
të ngrohtë, por sepse sapo i binte në dorë ndonjë euro, ua dhuronte të
varfërve. Jakaj u gjet në posedimin e 40 kg marijuanë me vlerë 150.000
euro nga policët e komisariatit të Città Studi, drejtuar nga Anna
Laruccia. Më tej, policia ushtroi kontrolle në zonën e quajtur 81, në
rrugën “Breda”, ku Jakaj jetonte i vetëm në një banesë me qira. Iu
gjetën 7 celularë, teksa u zbulua edhe droga në bidonat e naftës. Jakaj
ka lindur në Prefekturën e Durrësit, në zonën e Krujës. Në Itali ai
arriti në vitin 2000. Në shtëpi policët gjetën thika që ndoshta i
përdorte për gatim. Jakaj ka lëvizur me shumë kujdes. Sapo dilte nga
ndërtesa shikonte përreth për t’u siguruar që do t’u shpëtonte prangave
të uniformave blu. /Shqiptarja.com/
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen